Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Shijak, ku një vajzë 18-vjeçare, e cila sipas familjarëve vuan nga probleme të shëndetit mendor, dyshohet se është përdhunuar nga një 44-vjeçar. Denoncimi u bë nga familjarët e saj, të cilët njoftuan menjëherë policinë për rastin.
Si rezultat i kallëzimit, uniformat blu arrestuan shtetasin H. G., 44 vjeç, banues në Pjezë të Shijakut. Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti dhe sekuestroi një shkop gome, mjet që zakonisht përdoret nga strukturat e rendit, si dhe një armë gjahu që dyshohet se mbahej pa lejen përkatëse.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme. Ndaj të arrestuarit do të vijojnë hetimet për “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura, me persona të paaftë për t’u mbrojtur”, si edhe për “Mbajtje pa leje të armëve të gjahut” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.