Policia e Milanos, në bashkëpunim me njësinë speciale kundër krimit të organizuar, ka arrestuar 28 persona të dyshuar për pjesëmarrje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës. Sipas mediave italiane, 25 të arrestuarit janë dërguar në burg, ndërsa 3 janë vendosur në arrest shtëpie. Mes tyre figurojnë disa shtetas shqiptarë, përfshirë Marjus Aliun, Fation Aliun, Ervin Bashmetën, Kujtim Daiun dhe Artur Hoxhosmanin.
Rrjeti kriminal i hetuar ka lidhje me organizatën Ndrangheta të Lokridës dhe përdorte mbështetjen e ndërmjetësve shqiptarë për të menaxhuar trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas raportimeve të mediave të huaja, grupi importonte sasi të mëdha kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës, duke përdorur sisteme të koduara komunikimi dhe kontakte të drejtpërdrejta me furnizuesit, me një vlerë tregu prej rreth 27 milionë eurosh në dy vitet e fundit.
Hetimet kanë treguar se rrjeti operonte nga Lombardia, me degë edhe në Gjermani, Holandë, Spanjë, Britani të Madhe, Kolumbi dhe Brazil. Mediat italiane raportojnë se janë dokumentuar mbi 3,5 tonë kokainë të importuara, nga të cilat mbi 400 kg janë sekuestruar. Droga transportohej në kontejnerë të ligjshëm përmes metodave të sofistikuara të fshehjes, duke përdorur teknikën e njohur si "grabitje" (gacho ciego).