Mashtrim i hapur në tregun imobiliar: I njëjti apartament shitet me 3 çmime të ndryshme

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.11.2025, 09:57

Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me ritme të frikshme gjatë dy dekadave të fundit, duke u dyfishuar e deri trefishuar në shumicën e zonave të kryeqytetit. Sipas indeksit “Keydata”, për periudhën 2005–2025, çdo zonë kadastrale ka shënuar rritje të fortë, sidomos qendra dhe lagjet e kërkuara për investim.

Tirana tashmë renditet ndër qytetet më të shtrenjta në Europë për përballueshmërinë e një prone dhe sipas të dhënave të Numbeo, një qytetari i duhen mbi 18 vite punë për të blerë një apartament, një rritje e ndjeshme nga 15.3 vite një vit më parë.

Megjithatë, rritja e çmimeve nuk është problemi i vetëm me të cilin përballen qytetarët. Mbi këtë krizë të përballueshmërisë po shtohet edhe një fenomen shqetësues: abuzimet masive në tregun imobiliar, ku mungesa e transparencës ka krijuar një mjedis pothuajse të pakontrolluar. Qytetarët raportojnë gjithnjë e më shpesh raste kur i njëjti apartament shfaqet me çmime të ndryshme në agjenci të ndryshme, duke krijuar konfuzion dhe mashtrim të hapur. Një qytetar denoncon:

“Përshëndetje JOQ. Shiko çfarë bëjnë agjencitë imobiliare: dy prona të njëjta me çmime të ndryshme. I njëjti apartament ka çmim 250 mijë euro në një agjenci dhe 227 apo 217 mijë euro në një tjetër. Kush ta haj, ta haj!”

Raste të tilla janë gjithnjë e më të shpeshta dhe tregojnë një problem shumë më të madh: në Shqipëri, tregu imobiliar operon praktikisht pa rregulla. Agjencitë imobiliare mund të hapen pa asnjë licencë të specializuar, pa trajnim profesional dhe pa mbikëqyrje shtetërore. Kjo ka sjellë një shpërthim të agjencive “të rastit”, ku secili vendos çmimin sipas interesit të momentit. Shpesh çmimi publik në njoftim nuk ka asnjë lidhje me çmimin që i komunikohet klientit kur paraqitet për vizitë, ndërsa komisionet ndryshojnë sipas dëshirës së agjentit, në disa raste duke u kërkuar edhe para në dorë, pa dokumente dhe pa gjurmë financiare.

Abuzimet nuk ndalen me agjencitë. Edhe vetë ndërtuesit shpesh rrisin çmimet në mënyrë arbitrare, duke i ndryshuar nga java në javë, pa asnjë arsye reale ekonomike. Justifikimi standard është “rritja e kostove të materialeve”, edhe pse çmimet e materialeve të ndërtimit ndërkombëtarisht janë stabilizuar. Shpesh apartamentet shiten ende pa u përfunduar, duke ofruar cilësi të ulët por me çmime sikur të ishin banesa luksoze.

Ndërkohë, pagat nuk ndjekin aspak ritmin e çmimeve. Në vitin 2014, për të blerë një apartament 70 m² duhej të punoje rreth 13 vite; sot duhen mbi 18 vite pune me pagë reale. Çmimi mesatar është rritur nga 56 mijë euro në 147 mijë euro, pra gati tre herë, ndërsa pagat reale janë rritur shumë pak për shkak të inflacionit dhe kostove gjithnjë e në rritje të jetesës. Shqiptarët sot paguajnë çmime europiane me të ardhura që nuk i afrohen standardit të kontinentit.

Ekspertët paralajmërojnë se ky kombinim i çmimeve të papërballueshme, mungesës së kontrollit në treg dhe abuzimeve të përhapura po krijon një krizë të vërtetë sociale dhe ekonomike. Tirana po shndërrohet në një qytet të paarritshëm për klasën e mesme, ndërsa banorët ndihen gjithnjë e më të pambrojtur përballë një tregu imobiliar që funksionon si “shtet brenda shtetit”.

Në mungesë të një reforme të thellë, të një ligji të dedikuar për rregullimin e agjencive imobiliare dhe të transparencës së çmimeve, abuzimet pritet të rriten ndërsa shqiptarët do ta kenë gjithnjë e më të pamundur të blejnë një shtëpi në kryeqytet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit