Alarmi i BERZH: Shqipëria ka humbur 40% të popullsisë që nga ’90-a, ekonomia në rrezik

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.11.2025, 09:21

Shqipëria dhe Kosova renditen si dy vendet me emigracionin më të lartë në të gjithë hapësirën post-komuniste që nga viti 1990, sipas raportit të ri të Tranzicionit 2025–26 të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka humbur rreth 40% të popullsisë së vitit 1990 përmes emigracionit neto, një nga nivelet më të larta në Europë, ndërsa Kosova ka humbur deri në 50%, duke u renditur e para në kontinent për ritmin e largimit të qytetarëve. Edhe pse të dy vendet kanë pasur shtesë natyrore pozitive gjatë shumicës së periudhës, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar flukset masive të emigrimit.

Sipas BERZH, ky boshllëk i madh demografik është kthyer në një barrierë serioze për zhvillimin ekonomik. Kontributi i popullsisë në rritjen e PBB-së në Shqipëri ka qenë negativ në periudhën 2000–2023, duke ulur rritjen mesatarisht me rreth –0.2 pikë përqindje çdo vit. Parashikimet janë edhe më shqetësuese për vitet 2024–2050, ku ndikimi pritet të thellohet në –0.3 deri –0.4 pikë përqindje në vit, ndërsa edhe pas vitit 2050 tendenca mbetet negative. Raporti vlerëson se Shqipëria dhe Kosova janë ndër ekonomitë më të ekspozuara në të gjithë rajonin sa i përket ndikimit të emigracionit në rritjen afatgjatë.

Plakja e popullsisë, tkurrja e forcës së punës dhe dobësimi i skemave sociale po krijojnë presion të vazhdueshëm ekonomik, duke sjellë mungesë të fuqisë punëtore, ulje të ritmit të investimeve dhe rënie të produktivitetit. BERZH paralajmëron se, nëse nuk rritet produktiviteti, nëse nuk ka investime teknologjike dhe politika që frenojnë humbjen e kapitalit njerëzor, emigracioni masiv do të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike për dekadat e ardhshme, duke e bërë Shqipërinë dhe Kosovën më pak konkurruese dhe më të prekshme ndaj krizave të ardhshme.

Në raport theksohet se, edhe nëse rritja ekonomike mbetet pozitive, ritmi i saj potencial do të jetë dukshëm më i ulët në krahasim me vendet me popullsi në rritje, si Turqia, Egjipti apo ekonomitë e Azisë Qendrore. Për vendet me emigracion të lartë, si Shqipëria dhe Kosova, BERZH sugjeron reforma të thella strukturore si mënyra e vetme për të shmangur një krizë të thellë demografike dhe ekonomike në të ardhmen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit