Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi përmbytjet e 4 tetorit 2024 në Vlorë nxjerr në pah mangësi serioze në menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe funksionimin e hidrovorëve, duke theksuar se situata ishte e parandalueshme. Sipas auditimit, shumë kanale të rëndësishme kulluese nuk janë pastruar prej më shumë se një dekade, ndërsa segmente të tjera brenda qytetit kanë mbetur të bllokuara për mbi 30 vite. KLSH vëren se Bashkisë Vlorë i janë transferuar kanale që ndodhen jashtë juridiksionit të saj, duke krijuar konfuzion administrativ dhe mungesë përgjegjësie të qartë për mirëmbajtjen.
Sistemi i pompimit rezulton gjithashtu në gjendje kritike. Hidrovori Akërni, i konsideruar kyç për mbrojtjen e qytetit, ka funksionuar me vetëm 45% të kapacitetit për shkak të mungesës së pajisjeve rezervë, problemit me tensionin elektrik dhe amortizimit të linjës furnizuese. KLSH thekson se edhe pusetat e ujërave të bardha janë kryesisht jashtë funksionit, të bllokuara nga mbeturina dhe inerte, ndërsa në reshje të dendura, ujërat sipërfaqësorë devijohen gabimisht në rrjetin e ujërave të ndotura, duke mbingarkuar sistemin e pompimit.
Përtej mangësive teknike, raporti evidenton mungesë të theksuar koordinimi institucional dhe vonesa në reagim. Këshilli i Qarkut nuk shpalli gjendjen e emergjencës, ndërsa Bashkia nuk kërkoi vlerësimin e dëmeve të banesave, duke kufizuar ndërhyrjen shtetërore. KLSH konkludon se nëse kanalet dhe kolektorët do të ishin mirëmbajtur dhe hidrovorët do të punonin në kapacitet të plotë, rreziku i përmbytjeve do të ishte minimal, duke e cilësuar rehabilitimin e sistemit të kullimit si domosdoshmëri urgjente për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.