Bregu i Velipojës po përballet me një situatë të rëndë mjedisore pas reshjeve të shumta që kanë goditur veriun e vendit ditët e fundit. Lumenjtë dhe përrojtë janë fryrë deri në kufijtë ekstremë, duke marrë me vete çdo mbeturinë që prej vitesh i është hedhur tokës me pakujdesi. Tani, natyra po ia kthen njerëzve atë që i kanë dhënë: një bregdet të mbuluar nga plastika, mbetje urbane dhe inerte që uji i ka nxjerrë në sipërfaqe.
Pamjet nga Velipoja sjellin një paralajmërim të fortë — nëse ndotja vazhdon, pasojat do të jenë gjithmonë më të rënda dhe më të shtrenjta për t’u riparuar. Mbeturinat që prej kohësh janë shpërfillur në brigje, kanale e shtigje, sot po rikthehen në formën e një katastrofe mjedisore të dukshme.
Për të përballuar këtë situatë, organizatorët dhe vullnetarë të komunitetit janë duke përgatitur një aksion të madh pastrimi, i cili do të zhvillohet më 10 dhjetor. Qëllimi është që zona të rikthehet në gjendjen e saj natyrore dhe të pastrohet sa më shumë nga mbetjet që janë shpërndarë nga përmbytjet.