Numri i objekteve pranë Tokës (NEA) ka shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë dekadave të fundit, duke nxitur shqetësime te komuniteti shkencor për mundësinë e një ndikimi në planetin tonë. Asteroidi i parë pranë Tokës u zbulua në vitin 1898, ndërsa me avancimin e teknologjisë dhe përdorimin e teleskopëve modernë, numri i zbulimeve është rritur ndjeshëm. Aktualisht, janë të njohura rreth 40 mijë asteroide pranë Tokës, nga të cilat 10 mijë janë identifikuar vetëm gjatë tre viteve të fundit.
Sipas kreut të Qendrës së Koordinimit të Objekteve Pranë Tokës pranë Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), “numri i zbulimeve po rritet në mënyrë eksponenciale,” dhe teleskopët e gjeneratës së re pritet të përshpejtojnë këtë ritëm në vitet e ardhshme.
Shumica e asteroideve me madhësi të madhe tashmë janë identifikuar. Megjithatë, vëmendja e shkencëtarëve është përqendruar te asteroidet me diametër 100–300 metra, të cilat janë më të vështira për t’u zbuluar. Aktualisht, identifikimi i tyre është vetëm rreth 30%, ndërsa vlerësimet tregojnë se rreth 2 mijë të tillë mund të përbëjnë rrezik për Tokën në të ardhmen.
Për të përmirësuar kapacitetin e mbrojtjes së planetit, ESA ka ndërmarrë disa misione strategjike. Hera, që po udhëton drejt asteroidit Dimorphos për të analizuar efektet e misionit DART. Ramses, i cili do të monitorojë asteroidin Apophis gjatë kalimit të tij të afërt në vitin 2029. Neomir, i projektuar për të mbuluar “pikën e verbër” të shkaktuar nga rrezet intensive të Diellit, të cilat pengojnë vëzhgimet nga Toka.
Shkencëtarët nënvizojnë rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm dhe të misioneve të mbrojtjes planetare, si masa kyçe për parandalimin e rreziqeve që mund të paraqesin asteroidet për Tokën.