Brazili nxjerr në shitje stadiumin legjendar “Maracana” për 320 milionë euro

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 25.11.2025, 19:58

Stadiumi ikonik “Maracana” në Rio de Janeiro, një simbol i futbollit botëror dhe një nga arenat më të famshme në planet, ka dalë zyrtarisht në shitje. Autoritetet e shtetit të Rio de Janeiros synojnë të mbledhin rreth 320 milionë euro, si pjesë e një programi për uljen e borxhit publik, i cili aktualisht shkon në 1.89 miliardë euro.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në Brazil, pasi “Maracana” është shumë më tepër sesa një stadium është një monument emocional për miliona tifozë dhe një pjesë e historisë kombëtare. Arena ka pritur dy finale të Kupës së Botës në 1950, kur Brazili u mposht në mënyrë tronditëse nga Uruguai (1-2), ndeshje që u ndoq nga 173,850 spektatorë, shifra më e madhe e regjistruar ndonjëherë në një ndeshje futbolli. Tronditja e humbjes solli pasoja të rënda shoqërore, që përfshinin vetëvrasje dhe humbje të jetëve nga shkaqe të tjera fatale.

Finalja e dytë e Kupës së Botës në “Maracana”, ajo e vitit 2014, riktheu Gjermaninë në majën e futbollit botëror me fitoren 1-0 ndaj Argjentinës. Sot, pas tre rinovimeve të mëdha, stadiumi ka një kapacitet modern prej 78,838 vendesh.

Qeveria e shtetit të Rios argumenton se shitja është një hap i domosdoshëm ekonomik. Zëdhënësi i shtetit, Rodrigo Amorim, deklaroi se mirëmbajtja e stadiumit i kushton qeverisë rreth 160,000 euro për çdo ndeshje, një barrë që buxheti publik nuk e përballon dot më.

Shitja e “Maracana”-s shihet si pjesë e një praktike të zakonshme ndër vendet që përballen me borxhe të larta. Shembulli më i afërt është ai i Greqisë, e cila gjatë krizës ekonomike u detyrua të shiste një sërë asetesh shtetërore për të ulur nivelin e borxhit.

Megjithatë, në Brazil, ky hap shihet si një goditje ndaj trashëgimisë kulturore dhe sportive të vendit. “Maracana” nuk është vetëm një ndërtesë, aty Pelé shënoi golin e tij të 1000-të, gjithashtu janë zhvilluar ndeshje historike dhe aty është shkruar një pjesë e rëndësishme e identitetit të futbollit brazilian.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit