Dalin detaje të reja nga atentati i 11 nëntorit në Rinas, ku u qëllua ndaj makinës ku udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Gilmando Dani humbi jetën në vendngjarje, dhe Shaljani ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital.
Edhe pse kanë kaluar dy javë nga ngjarja, krimi i rëndë nuk është zbardhur plotësisht dhe asnjë nga autorët e sulmit nuk është arrestuar deri më tani. Hetimet mbeten intensive, ndërsa grupi hetimor ka arritur të sigurojë disa të dhëna të reja mbi motivin dhe mënyrën e organizimit të atentatit.
Sipas burimeve mediatike pranë hetuesve, dyshohet se për ekzekutimin e Gilmando Danit, i njohur si krahu i djathtë i Emiliano Shullazit, është paguar një shumë e jashtëzakonshme prej 5 milionë eurosh. Hetuesit besojnë se atentati është kryer nga një grup profesionistësh që veprojnë si vrasës me pagesë.
Për më tepër, dyshohet se ekzekutorët nuk kanë vepruar të vetëm: paraprakisht, një person tjetër i paidentifikuar ka bërë lidhjen mes porositësve dhe grupit të atentatorëve, duke ndërmjetësuar marrëveshjen për ekzekutimin.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të identifikuar urdhëruesit, ndërmjetësuesin dhe ekzekutorët e dyshuar, teksa policia po analizon të gjitha pistat e mundshme. Ngjarja e Rinasit tronditi zonën, duke rrezikuar edhe jetët e njerëzve të pafajshëm që ndodheshin aty në momentin e sulmit.
Hetimet pritet të intensifikohen në ditët në vijim, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë një informacion zyrtar mbi ecurinë e çështjes.