Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Laprakë, Tiranë.
Drejtuesi i një motori është përplasur fort në semafor dhe ka mbetur i lënduar. Në pamje mund të shihni momentin kur drejtuesit të motorit duket se i rrëshqet këmba, nuk ndalet në semafor si mjetet e tjera dhe papritur përplaset me semaforin duke u rrëzuar.
Goditja e fortë mund të dëgjohet edhe në video, ndërkohë që drejtuesi i motorit rrëzohet, heq kokoren dhe ndalet në rrugë duke parë dëmtimet e pësuara.
Kalimtarët e çastit ndalen dhe i vijnë në ndihmë pasi përveçse i lënduar, drejtuesi i motorit duket edhe i trembur.
Për momentin nuk dihet ende gjendja e drejtuesit të motorit, ndërkohë që edhe semafori është dëmtuar nga kjo përplasje e fortë.