Nga mesi i muajit nëntor, çmimet e udhëtimeve me taksi elektrike drejt dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës kanë pësuar një rritje të ndjeshme. Nga 1100 lekë, që ishte çmimi i mëparshëm, udhëtimet tani do të kushtojnë të paktën 1500 lekë, një rritje prej 40%.
Kompanitë e taksive kanë sqaruar se ky ndryshim është i domosdoshëm për shkak të rritjes së kostove të energjisë elektrike nga qeveria shqiptare dhe përfshirjen e tyre në një fashë të re çmimesh.
Gazetarët e JOQ kanë kontaktuar disa kompani të taksive, të cilat kanë konfirmuar në mënyrë unanime këtë çmim të ri për udhëtimet nga qendra e Tiranës drejt aeroportit.
Për më tepër, ndryshime kanë ndodhur edhe në tarifat e udhëtimeve brenda kryeqytetit, ku taksi metrot tani do të fillojnë nga 600 lekë, duke u dyfishuar nga 300 lekë që ishte xhiro fillestare.
Megjithatë, kjo rritje ka sjellë revoltë në rrjetet sociale. Në një vend ku mungon infrastruktura alternative si tramvaji apo treni, shqiptarët ndihen se përdorimi i taksive elektrike, dikur një opsion ekonomik, tani është bërë një luks. Me çmimet e reja, këto taksi pothuajse barazohen me ato që punojnë me naftë dhe që janë më pak miqësore me mjedisin.