Sot, më 25 nëntor, bota ndalet për të kujtuar një të vërtetë të dhimbshme, dhuna ndaj grave vazhdon të jetë një plagë e hapur në çdo shoqëri. Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave është vendosur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999 dhe ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin global mbi dhunën ndaj grave, një problem i përhapur që prek miliona gra dhe vajza në mbarë botën. Çdo 10 minuta një grua humb jetën si pasojë e dhunës, dhe mijëra të tjera jetojnë në heshtje, me frikë dhe me dhimbje që shpesh nuk duken.
Kjo ditë nuk është thjesht një datë në kalendar, por një thirrje globale për ndërgjegjësim dhe për veprim. Në çdo shtëpi, në çdo vend, mund të jetë dikush që përballet me kontroll, poshtërime, izolim ose dhunë fizike. Shumë gra nuk kërkojnë ndihmë sepse kanë frikë, sepse ndihen të vetmuara ose sepse nuk besojnë se do të dëgjohen. Pikërisht për to duhet të flasim sot për të kujtuar se dhuna nuk është kurrë faji i viktimës dhe se çdo grua meriton siguri, dinjitet dhe jetë pa frikë. Të njohësh shenjat, të ofrosh mbështetje dhe të besosh dikë kur fletshpesh është hapi i parë drejt shpëtimit.
Në këtë ditë, le të jemi më të vëmendshëm, më të ndjeshëm, më të guximshëm. Le të mos kthejmë shpinën. #AsnjëJustifikim nuk është një slogan, por një betim që secili prej nesh duhet ta marrë përsipër. Dhuna ndaj grave nuk duhet duruar, nuk duhet heshtur dhe nuk duhet normalizuar. Bashkohuni, ngrini zërin dhe ndihmoni që ky realitet të marrë fund për nënat, motrat, vajzat dhe për çdo grua që ka të drejtë të jetojë e lirë.