“Ju jeni shejtani”, të akuzuarit për terrorizëm refuzojnë të flasin: Nuk i dorëzohemi policisë!

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.11.2025, 12:19

Dy persona, Julian Cumrraku dhe Erzen Uka, janë arrestuar dje pas 12 orësh ngujimi në një banesë të braktisur në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, nën akuzën për terrorizëm dhe veprime të tjera penale. Të dy të arrestuarit refuzuan të flasin me policinë, duke deklaruar se “janë me të drejtën e tyre” dhe përdorur shprehje si: “Ju jeni shejtani” dhe “Nuk i dorëzohem policisë, dorëzohem vetëm përballë Allahut”.

Policia e Pukës ka nisur operacionin pasi Erzen Uka është vënë re duke hyrë në banesën e braktisur të një të afërmi. Ai ka refuzuar të hapë derën dhe ka kërcënuar punonjësit e policisë. Ndërhyrja e forcave RENEA është bërë pas 12 orësh negociata, ndërsa të dy të dyshuarit ishin të fshehur në këtë banesë prej dy muajsh.

Pas dorëzimit, Erzen Uka u gjet me një dëmtim në kofshën e djathtë dhe u dërgua në spitalin e Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në banesë u gjetën 5 armë (4 automatike dhe 1 pistoletë), një flamur i ISIS, 17 granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës.

Erzen Uka, ish-pjesëtar i Forcave Paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak, ka precedentë të mëparshëm penalë për veprime ekstremiste dhe nxitje terroriste. Julian Cumrraku, babai i një vajze dhe ish-emigrant në Francë, konsiderohet person i rrezikshëm për shkak të veprimtarisë së tij të mëparshme dhe dinakërisë që e karakterizon.

Sipas policisë, Erzen Uka u arrestua për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”, ndërsa Julian Cumraku për “Vjedhje dhe kanosje”. Materialet në Prokurori janë referuar edhe për veprat penale: “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Operacioni tregon edhe njëherë rolin e rëndësishëm të vëzhgimit të Anti-Terrorit, i cili monitoronte prej kohësh të dy personat. Hetimet vijojnë për të zbuluar motivet dhe rrjetin e tyre të mundshëm të lidhur me veprimtarinë ekstremiste.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit