Ura 300-vjeçare e Kamarës drejt shembjes: Përmbytjet kërcënojnë monumentin historik

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.11.2025, 09:55

Rrjedha e fryrë dhe jashtëzakonisht e fuqishme e lumit Shkumbin, që prej një jave vazhdon me intensitet të pazakontë, ka vënë në rrezik serioz Urën Antike të Kamares, një ndër monumentet më të çmuara të trashëgimisë kulturore në qarkun e Elbasanit. Banorët e lagjes Mirakë kanë dhënë alarmin mbrëmjen e sotme, pasi një nga harqet kryesore të urës është dëmtuar rëndë nga përplasjet e vazhdueshme të ujit.

E vendosur rreth pesë kilometra nga Librazhdi, në fshatin Mirakë të Njësisë Administrative Polis, ura është shpallur monument kulture i kategorisë së parë që në vitin 1963. E ndërtuar rreth viteve 1714 dhe e rindërtuar disa herë gjatë periudhës osmane, ajo njihet për tre qemerët karakteristikë prej guri gri të marrë nga mali i Murrashit — një vepër e rrallë e mjeshtërisë mesjetare shqiptare.

Këtë javë, Shkumbini është kthyer në kërcënimin më të madh për strukturën 300-vjeçare. Prurjet e shumta dhe goditjet e pakontrolluara të rrjedhës kanë dëmtuar bazamentet, duke shkaktuar lëvizje gurësh dhe çarje të dukshme. Sipas specialistëve të trashëgimisë kulturore, situata cilësohet dramatike: çdo orë që ura mbetet e ekspozuar ndaj rrjedhës së vrullshme rrit ndjeshëm rrezikun e shembjes së qemerit mbajtës.

Edhe banorët e zonës, të cilët e shohin urën si pjesë të historisë dhe jetës së tyre të përditshme, shprehen të alarmuar. Ata thonë se gjatë natës dëgjohen zhurma gurësh që shkëputen dhe lëvizin, duke krijuar frikën se shembja mund të ndodhë nga momenti në moment. “Kjo urë është identiteti ynë. Nuk duam të zhduket kështu, nën sytë tanë,” thonë ata.

Komuniteti dhe ekspertët kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet kulturore, bashkia dhe strukturat e emergjencave. Propozimet e para përfshijnë devijimin e përkohshëm të rrjedhës së lumit dhe vendosjen e mbrojtjeve emergjente për të ndalur erozionin.

Nëse Ura e Kamares shembet, Shqipëria rrezikon të humbasë një prej urave më të vjetra mesjetare të lidhura me trasenë e lashtë të rrugës Egnatia — një simbol historik që ka shërbyer si pikëkalim për mijëra udhëtarë përgjatë shekujve. Edhe turistët që ndodheshin sot në zonë u shprehën të tronditur.

Është një mrekulli arkitekturore. Është e pabesueshme që mund të humbasë pa asnjë mbrojtje,” u shpreh një vizitor gjerman.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit