Gjermania shpenzon më shumë se gjithë Europa për sigurimet shoqërore

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 25.11.2025, 09:48

Gjermania rezulton vendi që shpenzon më shumë para për sigurimet shoqërore në Evropë, me rreth 41% të totalit të shpenzimeve publike, sipas një studimi të Institutit Gjerman të Ekonomisë (IW). Studimi, i raportuar fillimisht nga Rheinische Post, thekson se afërsisht gjysma e buxhetit publik kanalizohet drejt sistemit të sigurimeve shoqërore. Publikimi vjen pak para diskutimeve të rëndësishme në Bundestag mbi buxhetin dhe paketën e re të pensioneve, në një moment kur brenda koalicionit qeverisës ka mosmarrëveshje të forta për rritjen e shpenzimeve sociale.

Krahasuar me mesataren e BE-së, e cila qëndron në 39%, Gjermania renditet mbi nivelin mesatar dhe në të njëjtën linjë me vendet nordike, Austrinë dhe Zvicrën. Megjithatë, për sa i përket raportit të shpenzimeve sociale me performancën ekonomike, vendet nordike qëndrojnë ende pak përpara. Në fushën e shëndetësisë, Gjermania kryeson me 16% të shpenzimeve publike, së bashku me vendet nordike dhe Beneluksin. Studimi vë në dukje gjithashtu një rritje të ndjeshme të shpenzimeve për administratën publike në Gjermani nga 7.2% në 11% gjatë periudhës së analizuar.

Në kontrast me shpenzimet e larta administrative dhe sociale, Gjermania renditet e fundit në Evropën Perëndimore për investimet në arsim, duke i dedikuar vetëm 9.3% të shpenzimeve publike, gati 50% më pak se Austria dhe Zvicra. Edhe investimet publike në përgjithësi mbeten të ulëta, me vetëm 6.2% të shpenzimeve totale. Studimi i IW analizon shpenzimet e Gjermanisë nga viti 2001 deri në 2023, duke e krahasuar vendin me ekonomi të ngjashme perëndimore si Beneluksi, Austria, Zvicra dhe vendet nordike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit