Janë siguruar fotot e arrestimit të dy personave të shpallur në kërkim për terrorizëm, Hamza Uka (Erzen Uka) dhe Julian Cumraku, të cilët u vetëdorëzuan pas më shumë se 12 orësh rezistencë të fortë në një banesë në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit. Banesa ku ata fshiheshin prej rreth dy muajsh u rrethua që në orët e para të mëngjesit nga policia e Pukës dhe më pas nga forcat speciale RENEA, ndërsa gjatë kontrollit në ambientet e brendshme u gjetën armë të shumta, përfshirë 4 automatikë, një pistoletë, 18 granata, 7 karikatorë dhe rreth 2 mijë fishekë.
Negociatat mes policisë dhe dy të kërkuarve zgjatën për orë të tëra, pasi ata refuzonin t’i bindeshin thirrjeve për dorëzim. Situata u konsiderua shumë e rrezikshme për shkak të arsenalit të armëve që dispononin, çka bëri që ndërhyrja e drejtpërdrejtë të shmangej deri në sigurimin e kushteve për një zgjidhje pa pasoja. Vendimtare në dorëzimin e tyre ishte ndërhyrja e familjarëve, të cilët u sollën në vendngjarje nga policia dhe arritën t’i bindnin dy të kërkuarit të dilnin nga banesa. Hamza Uka doli i plagosur në këmbë, megjithëse policia deklaroi se nuk kishte përdorur armë gjatë operacionit.
Të dy personat ishin prej kohësh nën vëzhgim të Antiterrorit, ndërsa mbi Hamza Ukën rëndojnë akuza të mëparshme, përfshirë përgatitjen e të rinjve për t’iu bashkuar ISIS në vitin 2015. Edhe Julian Cumraku, i cili kishte precedentë penalë dhe ishte kthyer pak kohë më parë nga Franca, konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë. Banorët e zonës thonë se të dy nuk shfaqeshin shpesh në publik, por dinakëria dhe presioni që Cumraku ushtronte ndaj tyre i mbante të heshtur. Arrestimi i tyre i dha fund një situate të tensionuar që mbajti në ankth gjithë zonën për më shumë se 12 orë.