Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania duke raportuar një situatë tejet problematike në aksin rrugor Kombinat–Plepa, ku, siç tregohet edhe në pamjet që ai ka dërguar, automjeti i tij ka pësuar çarjen e tre gomave për shkak të gropave dhe gurëve të dalë në sipërfaqe pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit.
Fillimisht, qytetarit i është çarë goma e parë, të cilën ai e zëvendësoi me atë rezervë. Por pak më vonë, duke vijuar në të njëjtin segment, atij i çahen edhe dy goma të tjera, duke e lënë të bllokuar në mes të rrugës.
Në videon e mbërritur në redaksi, ai shprehet:
“Përshëndetje JOQ. Ndodhem në Pezë për momentin dhe nga shirat e mëdhenj që kanë rënë, copat e asfaltit që janë nëpër gropa dhe gurët kanë dalë në sipërfaqe të rrugës. Si fillim u ça goma e parë, e ndryshova, i vura gomen rezervë. Dhe më çanë edhe dy të tjera. Dhe këta që thonë ‘i ke gomat e konsumuara’, jo vlla, gomat janë të reja, kanë shumë pak kilometra. Sikur i shihni edhe vetë. Nuk është faji i gomave, por i rrugës. Kërkojmë të na japin zgjidhje për këtë rrugë. Faleminderit!”
Në një mesazh të dytë, ai shton:
“E bëj këtë rrugë çdo ditë për shkak të punës dhe kërkoj një zgjidhje. Sot më çanë tre goma të makinës për shkak të gropave. Nuk është zgjidhje të rregullojmë përherë gomat dhe amortizatorët. Zgjidhja është të rregullohet rruga.”
Qytetari i bën apel institucioneve për të ndërhyrë urgjentisht, pasi situata jo vetëm shkakton dëme financiare të vazhdueshme, por përbën edhe rrezik për jetën e drejtuesve të automjeteve.
JOQ Albania pret reagimin e institucioneve përgjegjëse.