SHBA në prag të ndërhyrjes ushtarake në Venezuelë, operacionet e fshehta priten të nisin së shpejti

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.11.2025, 23:40

Sipas katër zyrtarëve amerikanë që folën për Reuters, Shtetet e Bashkuara pritet të nisin një fazë të re të operacioneve ndaj Venezuelës në ditët në vijim, ndërsa administrata Trump po rrit presionin ndaj regjimit të Nicolas Maduro-s.

Zyrtarët thanë se faza e parë pritet të përfshihet nga operacione të fshehta, ndërsa SHBA ka lëvizur forca ushtarake drejt Karaibeve mes tensioneve në rritje me Caracas-in. Nuk dihet ende as data e saktë, as përmasa e veprimeve, dhe as nëse presidenti Trump ka marrë vendimin final.

Pentagoni i kaloi pyetjet në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa CIA refuzoi të komentojë. Një zyrtar i lartë amerikan tha se Trump “është i gatshëm të përdorë çdo mjet të fuqisë amerikane për të ndalur trafikun e drogës”, duke e lidhur drejtpërdrejt qeverinë Maduro me trafikimin e lëndëve narkotike, një akuzë që presidenti venezuelian e mohon.

Burime të tjera i thanë Reuters se opsionet në shqyrtim përfshijnë madje edhe përpjekjen për të rrëzuar Maduros nga pushteti. Ky i fundit ka akuzuar prej kohësh SHBA-në se kërkon një ndërhyrje dhe thotë se ushtria e populli do të rezistojnë.

Ndërkohë, SHBA pritet të shpallë organizatën “Cartel de los Soles” si organizatë terroriste, duke e lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe duke e akuzuar Maduro-n se e drejton, akuzë të cilën ai e ka mohuar gjithashtu. Kjo shpallje, sipas Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, “hap shumë opsione të reja për Shtetet e Bashkuara”.

Në Karaibe, tashmë ndodhet aeroplanmbajtësja më e madhe amerikane, “USS Gerald R. Ford”, e shoqëruar nga disa luftanije, një nëndetëse bërthamore dhe avionë F-35. Zyrtarisht, misioni ka qenë kundër narkotikëve, por fuqia ushtarake e grumbulluar është shumë më e madhe se ajo që kërkohet për operacione të tilla.

SHBA ka kryer të paktën 21 goditje ndaj mjeteve të dyshuara të trafikut të drogës që nga shtatori, ku kanë humbur jetën mbi 80 persona.

Ndërkohë, Maduro ka nisur të shqyrtojë opsione të tjera në rast të një ndërhyrjeje të mundshme amerikane, përfshirë “rezistencën e zgjatur”, një strategji guerile me më shumë se 280 njësi të vogla që do të kryenin sabotime dhe veprime të shpërndara në të gjithë territorin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit