Kryeprokurori i Spanjës, Alvaro García Ortiz, dha dorëheqjen sot nga detyra, vetëm disa ditë pasi Gjykata Supreme e dënoi me një ndalim dyvjeçar për të ushtruar poste publike dhe një gjobë prej 7,200 eurosh për zbulimin e informacionit konfidencial, raporton agjencia Efe.
Ortiz u akuzua për rrjedhjen e një email-i konfidencial lidhur me një rast evazioni fiskal që përfshinte Alberto Gonzalez Amador, partner i një anëtareje të njohur të Partisë Popullore, Isabela Díaz Ayuso, sipas raportimeve të gazetës El Pais. Emaili u publikua në mars të vitit 2024 nga gazeta El Mundo dhe përmbante një version të dyshuar të ngjarjeve, që sipas rrethit të Ayuso-s, tregonte negociatat e González Amador për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit Publik.
Në një letër drejtuar Ministrit të Drejtësisë, Félix Bolaños, García Ortiz kërkoi lirimin nga detyrat e tij, duke deklaruar se nuk dëshiron të presë për të njohur arsyet e vendimit të Gjykatës Supreme. Ai shtoi se ky vendim është një akt përgjegjësie, jo vetëm ndaj Zyrës së Prokurorit Publik, por edhe ndaj qytetarëve të Spanjës.
“Edhe pse vendimi im lidhet drejtpërdrejt me gjykimin për të cilin u informova, jam i bindur se i shërbeva me besnikëri institucionit që pata nderin të përfaqësoj, me respekt të thellë për detyrën publike dhe një ndjenjë të fortë përgjegjësie dhe besnikërie institucionale”, deklaroi García Ortiz në letër.