Shqipëria vazhdon të prodhojë çudira që askund tjetër nuk do të kalonin pa hetim, por që këtu shndërrohen në normalitet. Rasti i fundit është ai i Arena Casino, kazinosë së vendosur në kullën e stadiumit “Air Albania”, e cila ka ndërruar pronar për çmimin zyrtar “zero lekë”, një transaksion që në çdo vend tjetër do të ngrinte menjëherë alarmin e autoriteteve fiskale dhe të inteligjencës financiare. Por në Shqipëri, gjithçka është zhvilluar pa asnjë problem, me miratimin e plotë të institucioneve që supozohet të ruajnë integritetin financiar të vendit.
![]()
Historia nis në vitin 2021, kur kompania Albstar krijoi shoqërinë Space+, mbajtësen e licencës së kazinosë. Ligji për lojërat e fatit kërkon një kapital minimal prej 1.2 miliardë lekësh për të marrë licencë kazinoje. Por Albstar nuk kishte fonde cash dhe gjeti një zgjidhje të diskutueshme: i kërkoi gjykatës caktimin e një eksperti për vlerësimin e një toke të saj në Zharrës të Fierit, një sipërfaqe e degraduar që shërbente si gurore. Ekspertja Elvira Lame e vlerësoi këtë pronë me 85 euro për metër katror, duke e çuar vlerën totale në 1.28 miliardë lekë, saktësisht aq sa kërkonte ligji për licencën. Ironikisht, kjo ishte e njëjta tokë që kompania e kishte blerë vetëm për 420 mijë euro. Me këtë manovër, Albstar hyri në biznesin e kazinosë pa paguar asnjë qindarkë reale në kapital.
Arena Casino ka qenë mjaft fitimprurëse. Vetëm në vitin 2023, Space+ deklaroi 760 mijë euro fitim neto, ndërsa në vitin 2024 fitimet u dyfishuan në 1.75 milionë euro. Megjithatë, pak ditë më parë, Albstar vendosi ta shesë kazinonë me çmim zero lekë. Sipas kontratës, skema funksionon përmes lëvizjeve të kapitalit “në natyrë”: Albstar nxjerr nga kapitali tokën e Zharrëzës dhe largohet, ndërsa blerësi, GLG Investment, e zëvendëson këtë kapital me pasuri të tjera në natyrë. Në letër, kapitali nuk bie kurrë nën 1.2 miliardë lekë, siç kërkon ligji. Në praktikë, biznesi ndërrohet pa para, pa tatime dhe pa asnjë transparencë mbi vlerën reale të transaksionit.

Kjo lëvizje në kushte normale do të shkaktonte hetime të thelluara nga Tatimet, agjencia kundër pastrimit të parave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Por në Shqipëri, i gjithë operacioni është miratuar pa zhurmë. Ndërkohë që qytetarëve të zakonshëm u kërkohet faturë për çdo qindarkë dhe shitësit ambulantë gjobiten për qumësht, një kazino në zemër të Tiranës i dorëzohet një kompanie me pronësi të fshehtë për zero lekë.
Blerësi, GLG Investment, është një shoqëri e regjistruar në Wyoming të SHBA-ve, një parajsë e njohur për pronësi të mbuluar. Gjurmët e saj çojnë tek Gerti Luman, një emër i lidhur me kompaninë dhe me rrethin e biznesit në Michigan. Ndërkohë, transaksioni ka kaluar plotësisht i pahetuar, edhe pse përmban të gjitha elementet e një skeme të mundshme për shmangie taksash dhe pastrim kapitali.

Fakti që një biznes që gjeneron miliona euro në vit ndërron pronar pa një pagesë të vetme, në një nga sektorët më të rregulluar nga ligji, tregon qartë hendekun mes zellit të institucioneve ndaj qytetarëve të zakonshëm dhe heshtjes së tyre përballë lojtarëve të mëdhenj financiarë. Arena Casino është shembulli i radhës që tregon si funksionon sistemi: për “të fortët”, gjithçka kalon; për të tjerët, ligji zbatohet deri në qindarkën e fundit.