Shembja e Qukës–Qafë Plloçë/ Kompania 2T e Sakos mori 75 mln USD për 9 km rrugë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.11.2025, 20:58

Shembja masive e lotit 3 të rrugës Qukës–Qafë Plloçë, vetëm një muaj pas inaugurimit, ka nxjerrë në dritë një histori të gjatë abuzimesh me financimet publike. Në qendër të projektit që kushtoi 75 milionë dollarë për vetëm 9.5 kilometra qëndrojnë kompania saudite Rawafed Al Torok dhe partneri i saj në Shqipëri, kompania 2T, e zotëruar nga vëllai i kryebashkiakut të sapozgjedhur të Tepelenës, Gramos Sako.

Sipas dokumenteve financiare, dy kompanitë kanë përfituar pothuajse të gjithë fondin për Lotin 3, segmenti më i shtrenjtë i projektit. Rruga u shemb pikërisht te skarpatat, të cilat ishin justifikimi i kërkesës për rritjen e çmimit me dhjetëra milionë dollarë.

Pronari i 2T, Artan Sako, i përfshirë në hetime nga SPAK për disa çështje, raportohet se është zhvendosur prej kohësh në Londër. Nuk ka informacion zyrtar nëse kjo lëvizje lidhet me hetimet apo është për arsye personale.

Si nisi saga e kostove që “u katapultuan”

Rruga Qukës–Qafë Plloçë ishte pjesë e një marrëveshjeje huaje të vitit 2014 mes Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim. Loti 3, 9.5 km i gjatë, fillimisht ishte parashikuar të kushtonte 25 milionë dollarë.

Por fondet “u avulluan” shpejt dhe në vitin 2017, Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkoi rritjen e buxhetit në 49.3 milionë USD, me arsyetimin se projekti nuk ishte financuar plotësisht dhe kërkoheshin ndërhyrje shtesë në skarpatat e rrugës.

Këto shifra vazhduan të ndryshonin pothuaj çdo vit:

  • Qershor 2020, Ministria e Financave kërkon 49 milionë USD shtesë për Lotin 2.
  • Një javë më vonë, kërkesën e ndryshon në 25 milionë USD, por këtë herë për Lotin 3.
  • Dhjetor 2020, kërkohet sërish shtesë prej 24 milionë USD për përfundimin e plotë të Lotit 3.

Me miratimin e Parlamentit, financimi për këtë segment shkoi në 74 milionë dollarë, një rritje pothuaj 50% krahasuar me kontratën bazë.

Ironikisht, pjesa më e madhe e këtyre parave u kërkua “për stabilizimin e skarpatave”, të njëjtat skarpata që u shembën pas vetëm një muaji përdorim.

KLSH paralajmëroi shembjen shumë kohë më parë

Shembja nuk ishte surprizë për specialistët. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit sinjalizonte qartë se projekt-zbatimi i Lotit 3 ishte i mbushur me mangësi të rënda.

Sipas raportit të KLSH:

  • Trupi i rrugës ishte projektuar njësoj në të gjitha zonat, pa marrë parasysh terrenin e ndryshëm.
  • Nuk ishin llogaritur zgjerimet, kryqëzimet dhe sistemet e drenazhimit.
  • Përforcimet e shpateve ishin të paplanifikuara dhe jashtë standardeve.
  • Vizatatimet nuk përputheshin me raportin gjeoteknik.
  • Materiali shkëmbor i skarpatave ishte i papërdorshëm dhe shkriftohej lehtësisht, duke krijuar rrezik të lartë rrëshqitjeje.
  • Nuk ishin ndërtuar mure gabione, megjithëse ishin të domosdoshme për mbajtjen e terrenit.

Raporti paralajmëronte qartë se rruga mund të pësonte rrëshqitje serioze, gjë që ndodhi pikërisht këtë muaj.

Fatura i mbetet qytetarëve

Pas investimit marramendës prej 75 milionë dollarësh, rezultati është një rrugë e shembur dhe një tjetër histori e konsumimit të fondeve publike nga kompani të lidhura ngushtë me pushtetin dhe me vendimmarrës të nivelit të lartë.

Ndërsa hetimet pritet të vazhdojnë, humbësit e vetëm janë qytetarët shqiptarë, të cilët paguan një rrugë që nuk rezistoi as 30 ditë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit