Një skenë krejt e pazakontë është regjistruar në aeroportin 'Cologne Bonn' në Gjermani, ku dy pasagjerë rumunë tentuan të ndiqnin avionin pasi humbën fluturimin e tyre të Wizz Air drejt Bukureshtit.
Siç shihet dhe në pamjet e publikuara në rrjet, të dy personat kanë thyer daljen e emergjencës, kanë vrapuar drejt pistës së aeroportit dhe janë përpjekur t’i afrohen Airbus-it A321, i cili kishte sapo kishte marrë konfirmimin për të nisur lëvizjen drejt pistës së ngritjes. Në video ata shihen duke vrapuar me duar përpjetë, duke i bërë shenjë avionit që të ndalonte.
Stafi i aeroportit ndërhyri menjëherë, duke i ndaluar të dy dhe duke i dorëzuar tek autoritetet policore.
Pasagjerët tani pritet të përballen me akuza për sjellje të çrregullt dhe shkelje të rregullave të sigurisë ajrore. Përveç kësaj, ata rrezikojnë edhe ndalimin afatgjatë në aeroportet e Europës.
Ngjarja po qarkullon gjerësisht në rrjete sociale, me shumë përdorues që ironizojnë rastin duke shkruar: “Nëse shpresa do të ishte person”.