Pasi u raportua për dy ditë rresht nga JOQ dhe pasi qytetarët rrezikuan jetën e tyre duke çarë gomat e kaminave sa herë kalonin në autostradën Tiranë-Durrës pranë zonës së “City Park”, Gentjan “Gjylja” i ARrSh-së, tashmë në arrest shtëpie për abuzim me tenderat, është kujtuar që të urdhërojë vartësit e tij dhe të rregullojë gropën që ishte kthyer në “makthin” e shoferëve.
Një qytetar që ka kaluar sot në këtë zonë, ka dërguar këtë foto ku shihet se gropa është riparuar dhe rreziku tashmë është zvogëluar.
Ai shkruan: “Faleminderit JOQ! Shyqyr që jeni ju të paktën dhe disa gjëra në Shqipëri rregullohen. Ajo gropa e djeshme në Durrës-Tiranë, u mbush sot mbas dy postimeve tuaja dhe mbas 50 gomash të çara.”
Gentian Gjyli akuzohet nga SPAK për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” në lidhje me procedurën e prokurimit për tunelin e Llogarasë. Bashkë me të, nën akuzë është edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e pezulluar e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera”.
Me gjithë këto halle që u kanë rënë përsipër, zyrtarët e rrugëve duket se nuk kanë shumë kohë që të merren me këto të fundit dhe i lënë siç thotë populli “ku thërret kiameti”!