Një javë pas reshjeve të fuqishme që përmbytën tokat dhe stallat e fermerëve në fshatin Hingë, banorët thonë se Bashkia Dimal vijon të mbajë një heshtje të pashpjegueshme. Ndërkohë që dëmet në bujqësi rriten dita-ditës, banorët pretendojnë se askush nga institucioni vendor nuk është paraqitur për të bërë vlerësime konkrete apo për të ofruar ndihmë emergjente.
Fermerët e konsiderojnë këtë vonesë si një tregues të qartë shpërfilljeje ndaj komuniteteve rurale. Sipas tyre, ndërkohë që bashkia gjen kohë për reklama e postime në rrjete sociale, fshati Hinkë mbetet i vetëm me baltën, dëmet dhe pasigurinë për të ardhmen.
Fshati Hingë është prodhuesi më i madh i agrumeve në qarkun e Beratit, i cili numëron 41 000 rrënjë mandarina në një sipërfaqe prej 74 hektarësh. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale dhe qendrore për të vlerësuar dëmet dhe për t’u ardhur në ndihmë me mjete për largimin e ujit, si edhe me mbështetje për produktet bujqësore që rrezikojnë të humbasin.