Prej të premtes, fshati Xhyrë i Librazhdit është zhytur në një situatë të rëndë izolimi pas dëmtimit të urës tip “Baily”, e vetmja lidhje e drejtpërdrejtë me zonat përreth dhe qendrat shërbimore. Banorët thonë se autoritetet nuk kanë ndërhyrë, ndërsa qindra familje tashmë lëvizin vetëm në këmbë për të kaluar lumin.
Një banor i zonës, i shqetësuar për situatën alarmante, rrëfen për mediat:
“Është e vështirë, makinat nuk lëvizin. Ka që të premten kjo situatë. Po kalojmë në këmbë nga ana tjetër. Po të kesh një të sëmurë, do e sjellësh deri këtu dhe do e kalosh në këmbë.”
Sipas tij, dëmtimi i urës ka izoluar plotësisht komunitetin:
“Kjo urë ka izoluar gjithë fshatin. Janë rreth 300 e sa shtëpi, rreth 2000 veta ose më shumë.”
Përveç vështirësive në lëvizje, dëmtimi i urës ka goditur rëndë jetën e përditshme të banorëve. Fëmijët nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë ditën e parë, ndërsa banorët me urgjenca shëndetësore përballen me rrezik të lartë gjatë transportit.
“Fëmijët ngelën pa shkollë ditën e parë. Nëse dikush sëmuret, duhet ta çosh deri te ura dhe ta kalosh në këmbë. Kjo s’është normale.”
Ura e Xhyrës prej vitesh konsiderohej problematike, por banorët thonë se askush nga Bashkia Librazhd dhe as nga qeveria qendrore nuk ka marrë masa serioze për ta rehabilituar, pavarësisht premtimeve të përsëritura.
“Duhet një investim i mirëfilltë në këtë urë, se gjithë këto banorë ku do shkojnë? Shpresoj që ata të bashkisë të bëjnë një rrugë tjetër ose të ndërhyjnë sa më shpejt.”
Aktualisht, fshati është lënë në mëshirën e fatit, ndërkohë që banorët kërkojnë zgjidhje urgjente.
Për ta, ura nuk është thjesht një strukturë metalike, është e vetmja lidhje me jetën normale: me shkollën, qendrën shëndetësore, tregun dhe çdo shërbim tjetër minimal.
Ndërsa banorët ecin mbi gurë për të kaluar lumin, institucionet heshtin. Mungesa e një zgjidhjeje të menjëhershme rrezikon që Xhyra të përballet me pasoja edhe më të rënda, sidomos me afrimin e dimrit dhe shtimin e reshjeve.
Banorët paralajmërojnë se nuk mund të vazhdojnë shumë gjatë kështu, nëse ura nuk rregullohet, fshati do të mbetet i izoluar për javë të tëra.