Një qytetare shqiptare me banim në Gjermani ka bërë një denoncim serioz lidhur me mënyrën se si disa pet shop-e në Tiranë operojnë jashtë çdo standardi ligjor dhe veterinar, duke rrezikuar jetën e kafshëve dhe duke mashtruar qytetarët.
Sipas denoncimit, ajo ka pësuar pasoja të rënda financiare dhe ligjore kur ka mbërritur në shtetin Gjerman, macja që ajo bleu në shtator në një pet shop në zonën e Rrugës Hoxha Tasim iu shit fillimisht nën emrin “Maine Coon Albania”, ndërsa sot i njëjti biznes funksionon me emrin “Pet Shop Feline”, duke ngritur dyshime se ndryshimi i shpeshtë i emrit përdoret për të shmangur përgjegjësinë dhe për të humbur gjurmët pas çdo denoncimi.
Qytetarja tregon se në momentin e blerjes nuk iu dha faturë, dhe asnjë dokument zyrtar që të provonte se dyqani ishte i licencuar. Për më tepër, dokumentet veterinare që iu ofruan rezultuan plotësisht të falsifikuara.
Autoritetet gjermane, pas kontrollit të kryer në hyrje të territorit, konstatuan se macja nuk kishte marrë asnjë vaksinë dhe vuante nga viroza aktive, ndërsa dokumentet nuk korrespondonin me asnjë procedurë zyrtare të Bashkimit Europian por ishin bërë fallco.
Qytetarja shprehet se veteriner Pemati me klinikë në Kamëz , së bashku me bashkëshorten e tij,i kishin garantuar se macja i kishte të gjitha procedurat në rregull dhe se do të kalonte pa problem në doganën gjermane. Në realitet, transporti i kafshës ishte kryer me autobus nga Turqia, në kundërshtim me çdo standard ndërkombëtar për lëvizjen e kafshëve, dhe dokumentet ishin hartuar në mënyrë të dyshimtë vetëm për të justifikuar shitjen. Pas zbulimit të mashtrimit, autoritetet gjermane sekuestruan macen, dhe kanë ndëshkuan qytetaren me një gjobë prej 2.000 eurosh dhe gjithashtu ka rrezikuar deportim, pasi përdorimi i dokumenteve të falsifikuara konsiderohet shkelje e rëndë ligjore në vendet e BE-së.
Qytetarja tregon se kur kërkoi kthimin e parave dhe marrjen e përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar, shitësja, e identifikuar me emrin Jona, e bllokoi menjëherë dhe nuk pranoi të komunikonte më. Sipas denoncimit, dyqani nuk disponon as licencë, as NIPT, nuk jep fatura dhe dyshohet se operon prej kohësh në mënyrë të paligjshme, duke importuar kafshë të sëmura dhe të pa vaksinuara, ndërsa i pajis me dokumente të rreme për t’ua shitur klientëve si kafshë “të racës” dhe “me të gjitha vaksinat e kryera”.
Ky rast ngre pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si funksionojnë disa subjekte tregtare në fushën e shitjes së kafshëve në Shqipëri.
Rasti kërkon një reagim urgjent nga institucionet përkatëse, përfshirë Bashkinë e Tiranës, AKVMB dhe organet ligjzbatuese, të cilat duhet të verifikojnë ligjshmërinë e aktivitetit, origjinën e kafshëve, kushtet e mbajtjes dhe vërtetësinë e dokumenteve të lëshuara.
Denoncimi hedh dritë mbi një situatë alarmante që mund të prekë shumë qytetarë të tjerë dhe vendos përballë përgjegjësisë institucionet shqiptare, të cilat duhet të marrin masa të menjëhershme për të frenuar praktikat abuzive me kafshët dhe mashtrimet ndaj qytetarëve.