Rastet e mashtrimeve përmes linkeve dhe mesazheve telefonike po njohin një rritje alarmante kohët e fundit, duke goditur çdo ditë e më shumë qytetarë të pambrojtur.
Së fundmi, në redaksinë tonë është denoncuar një tjetër skemë mashtrimi, e cila funksionon përmes një profili të rremë në Facebook, krijuar me qëllim zhvatjen e shqiptarëve. Profil i quajtur “Eralda Pasha” ka publikuar më datë 10 nëntor një postim ku u premtonte ndjekësve “dhurata për fëmijë”, mjafton që ata të plotësonin një link me pyetësor.
Por pas plotësimit të këtij formulari, denoncuesja ka rënë viktimë e grabitjes së parave nga llogaria e saj bankare. Fillimisht iu tërhoqën 2 euro, nën pretekstin e “kostos së postës”, ndërsa një ditë më vonë 50 euro të tjera. Sot, skema ka vazhduar me një tërheqje prej 35 eurosh.
Qytetarja u bën apel të gjithëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve të sofistikuara, të cilat shfrytëzojnë besimin dhe mungesën e informimit.
Nga ana tjetër, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme e strukturave të krimit kibernetik për të identifikuar autorët, për të ndalur përhapjen e skemave të tilla dhe për t’i vënë përgjegjësit para drejtësisë.
Ky është një rast i qartë mashtrimi ku duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe të mos shtypni çdolloj linku që shikoni pasi paratë tuaja mund të përfundojnë në xhepat e mashtruesëve.