Një plagosje me armë zjarri u regjistrua mbrëmjen e djeshme në zonën e Institutit në kryeqytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 në rrugën “Ramadan Çitaku”, ku 40-vjeçari Mariglen Jata mbeti i plagosur pasi u qëllua në këmbë. Ai u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes, Fatmir Frroku, i cili është shpallur në kërkim. Sipas të dhënave të para, dy personat kanë qenë shokë më herët, por prej tre muajsh nuk kishin marrëdhënie, dhe dyshohet se mbrëmë ka pasur një përballje mes tyre para të shtënave.
Oficerët e policisë pritet të marrin në pyetje të plagosurin në spital, për të sqaruar motivet dhe konfliktin e mundshëm që çoi në incident. Hetimet vijojnë.