Rreshqitja e tokës në Bungaj dëmton shtyllat e energjisë, banorët paralajmërojnë rrezik të madh

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 24.11.2025, 10:15

Në fshatin Bungaj, rreth pesë kilometra larg qytetit të Rrëshenit, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rreshqitje toke, duke dëmtuar shtyllat e transmetimit të energjisë elektrike dhe duke krijuar një situatë të rrezikshme për banorët e zonës.

Sipas denoncimit, disa shtylla janë rrëzuar për shkak të lëvizjes së tokës, ndërsa elektricistët kanë ndërhyrë për të vendosur një shtyllë të re dhe për të lidhur përsëri kabllot. Megjithatë, banorët thonë se zgjidhja është e përkohshme dhe e pasigurt.

“Elektriçistet erdhen, e ngulen shtyllen në vend tjetër dhe lidhen telat, por nuk është zgjidhje. Shtylla u vendos përsëri në pjesën ku toka ka rreshqitur dhe ka shumë mundësi të rrëzohet duke qenë se toka po lëviz dhe reshjet nuk po ndalen. Duke qenë se telat kalojnë thuajse sipër shtëpive, mendoj se është shumë e rrezikshme të lihen ashtu”, shprehet qytetari.

Ai shton se edhe shtylla të tjera pranë zonës së rreshtuar janë të anuar dhe rrezikojnë të bien në çdo moment, duke u mbajtur më shumë nga kabllot sesa nga baza e tyre.

“E vetmja zgjidhje do të ishte të lëviznin katër ose pesë shtylla dhe t’i ngulnin anash rrugës”, përfundon ai në apel.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për stabilizimin e situatës dhe zhvendosjen e shtyllave, pasi rreziku i shembjes së tyre mbi banesat mbetet i lartë për sa kohë reshjet vazhdojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit