Shtëpia e Foshnjës në Vlorë, një institucion për kujdesin ndaj fëmijëve të mitur, është shndërruar në një shembull shqetësues të keqmenaxhimit dhe mungesës së transparencës. Edhe pse nga viti 2023 nuk strehon më asnjë fëmijë, aktiviteti i saj administrativ vazhdon të menaxhojë fonde publike, duke krijuar një situatë të paqartë ligjore, sociale dhe etike.
Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, punonjëset e Shtëpisë së Foshnjës janë detyruar, pa asnjë dokument zyrtar, të kryejnë shërbime pranë Qendrës Psiko-Sociale “Vatra”. Ky detyrim, i dhënë vetëm verbalisht, bie ndesh me kontratat e punës dhe ligjin shqiptar, duke vendosur punonjëset në një pozicion të pasigurt dhe të pa mbrojtur ligjërisht.
Problemi nuk qëndron vetëm tek detyrimi i paligjshëm por edhe tek punonjëset të cilat kryejnë shërbime për të cilat nuk janë trajnuar dhe nuk kanë eksperiencë, ndërkohë që nuk kanë marrë asnjë mbështetje institucionale. Edhe pse Bashkia e Vlorës dhe Avokati i Popullit janë informuar mbi këtë praktikë dhe është kërkuar ndërprerja e detyrimeve të pa dokumentuara, deri më sot nuk është marrë asnjë masë konkrete.
Ky mosveprim tregon një mungesë totale përgjegjësie dhe indiferencë ndaj shkeljeve të hapura të ligjit dhe etikës administrative. Ndërkohë që Shtëpia e Foshnjës nuk ofron më shërbime për fëmijët, punonjëset vazhdojnë të punojnë jashtë kontratës, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk bëjnë asnjë kontroll mbi menaxhimin e fondeve publike.
Rasti i Shtëpisë së Foshnjës në Vlorë është një thirrje e qartë për transparencë dhe përgjegjësi duke treguar se mungesa e kontrollit dhe keqmenaxhimi i fondeve publike mund të shndërrohet në abuzim sistematik, jo vetëm ndaj parave të shtetit, por edhe ndaj të drejtave të punonjësve. Për qytetarët, ky skandal është një kujtesë e dhimbshme se institucionet e krijuara për të mbrojtur më të pambrojturit nuk mund të funksionojnë në mënyrë fiktive dhe pa ndjekje ligjore.