Pavarësisht marrëveshjes për armëpushim, dhuna në Gaza nuk është ndalur. Zyra e Mediave e Qeverisë së Gazës njoftoi se Izraeli ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit të paktën 497 herë gjatë 44 ditëve të fundit, që prej hyrjes së saj në fuqi më 10 tetor.
Sipas autoriteteve palestineze, këto shkelje kanë sjellë pasoja tragjike duke vrarë 342 civilë, shumica prej tyre fëmijë, gra dhe të moshuar. Vetëm të shtunën e kaluar, raportohen 24 viktima dhe 87 të plagosur si rezultat i 27 sulmeve ajrore.
Zyra e Mediave e Gazës e cilëson situatën si një shkelje të vazhdueshme, serioze dhe sistematike të ligjit ndërkombëtar humanitar, si edhe të protokollit të armëpushimit, duke theksuar se realiteti në terren është shumë larg çfarë kanë rënë dakort.
Zyrtarët palestinezë akuzojnë Izraelin për pengim të furnizimeve humanitare dhe mjekësore, çka ka përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e popullsisë civile. Sipas tyre, bllokada po e çon Gazën drejt një kolapsi humanitar, me mungesë të theksuar ushqimesh, ilaçesh dhe shërbimesh bazë.
Në një nga sulmet më të rënda të raportuara së fundmi, më 10 nëntor, forcat izraelite kryen goditje ajrore që lanë 24 palestinezë të vdekur, përfshirë disa fëmijë.
Autoritetet izraelite, nga ana e tyre, deklarojnë se veprimet ushtarake janë përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit ndaj ushtarëve izraelitë brenda asaj që ata e përkufizojnë si “linja e verdhë”. Sipas ushtrisë izraelite, gjatë operacionit janë eliminuar pesë luftëtarë të lartë të Hamasit.
Hamas akuzon Izraelin se po shkel armëpushimin me justifikime të fabrikuara dhe u ka bërë thirrje ndërmjetësve – SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit–të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar respektimin e marrëveshjes.
Raportimet nga terreni tregojnë se, pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar, armëpushimi ekziston vetëm në letër. Forcat izraelite vijojnë operacionet ajrore dhe kanë avancuar më shumë brenda territorit të Gazës, duke shtuar pasigurinë dhe frikën mes banorëve.