Në Gjenevë janë zhvilluar takime të tensionuara mes zyrtarëve amerikanë, europianë dhe ukrainas për draft-planin e propozuar nga SHBA për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Plani i hartuar nga administrata e Donald Trump parashikon që Ukraina të pranojë kufizime të forta ushtarake, të heqë dorë nga aspiratat për në NATO dhe të bëjë kompromis territorial me Rusinë, kushte që Kievi i konsideron si pothuajse kapitullim pas katër vitesh lufte.
Trump deklaroi se Ukraina ka treguar “zero mirënjohje” ndaj SHBA-së, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm nga zyrtarët ukrainas.
Delegacioni europian propozoi një version të modifikuar të planit: Ukrainës t’i lejohet ushtri më e madhe dhe bisedimet për territorin të nisin nga vijat aktuale të frontit, jo nga kufijtë që Rusia pretendon si “rusë”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh se takimet kanë qenë “më të mirat deri tani” me Kievin dhe se pritet të bëhen ndryshime në plan për të gjetur një marrëveshje të përbashkët. Nga ana tjetër, Zelenskiy falënderoi Trump pas kritikave të tij, ndërsa në Kongres qarkullojnë dyshime se drafti është tepër pranë kërkesave të Moskës.
Situata në terren mbetet kritike: Rusia po avancon ngadalë në disa zona, Ukrainës i mungojnë trupat dhe infrastruktura energjetike po goditet çdo ditë nga dronë dhe raketa, duke lënë miliona njerëz pa energji e ujë. Skandalet e korrupsionit në qeverinë ukrainase e kanë vështirësuar edhe më shumë pozitën e Zelenskiyt.
Kievi druhet se pranimi i një marrëveshjeje kaq të disfavorshme mund t’i kushtojë vendit territor, dinjitet dhe mbështetjen amerikane – ndërsa Moska mund të përfitojë diplomatikisht nga përmbajtja aktuale e planit.