Banorët e qytetit të Lushnjes kanë ngritur një shqetësim serioz përmes një denoncimi të bërë në redaksinë e JOQ, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, një fabrikë që operon çdo ditë në zonë po lëshon sasi të mëdha tymi, duke krijuar ndotje të rëndë në ajër dhe duke rrezikuar shëndetin e komunitetit.
Ata tregojnë se shtëllungat e tymit janë të përditshme dhe shpeshherë bëhen aq të dendura sa mbulojnë zonat përreth, duke vështirësuar frymëmarrjen dhe duke krijuar shqetësime të vazhdueshme te fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme respiratore. Sipas banorëve, situata është kthyer në një problem alarmant, i cili po rëndohet dita-ditës.
Pavarësisht se rasti është denoncuar disa herë pranë autoriteteve lokale dhe institucioneve përkatëse, qytetarët pohojnë se deri më sot nuk është marrë asnjë masë konkrete. Ata ndihen të braktisur dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm, duke theksuar se shëndeti publik nuk mund të neglizhohet dhe se përgjegjësit duhet të vihen përpara ligjit.