VIDEO/ ARRSH fajëson motin për shembjen e aksit 260 mln €, Qukës–Qafë Plloçë!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 23.11.2025, 14:02

Aksi 260 milionë eurosh Qukës–Qafë Plloçë, që u inaugurua vetëm dy muaj më parë pas 16 vitesh punime epike, nuk i rezistoi dot provës së parë të natyrës, një shiu të zakonshëm vjeshte. Masivi i malit u shkëput sikur të ishte lodhur nga pritja dhe bllokoi rrugën, ndërsa qytetarët u habitën se si një investim i kësaj madhësie u rrëzua më shpejt se shiriti i inaugurimit. Por fajtori u gjet menjëherë, ai është moti. Nuk e ka fajin projekti, as cilësia, as zbatimi, por thjesht moti i keq.

Në reagimin zyrtar, ARRSH njoftoi me bindje se reshjet e shiut kanë shkaktuar çarjen e skarpatës, duke lënë të kuptohet se natyra është ajo që nuk respekton standardet e ndërtimit. Me këtë logjikë, duket se çdo rrugë e re është një duel i pabarabartë midis një superinvestimi dhe një reshjeje mesatare. Ndërkohë, grupet e punës po vlerësojnë situatën dhe po krijojnë një bypass të përkohshëm zgjidhje e përkohshme për problemin që supozohej se ishte zgjidhur përgjithmonë.

Në fund, ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të ulin shpejtësinë, të mbajnë distancën dhe të shmangin frenimet e papritura, sikur rruga të ishte në gjendje të përsosur, e jo e shembur. Me sa duket, shoferët duhet të përshtaten me kushtet e rrugëve, ndërsa rrugët nuk duhet të përshtaten me kushtet atmosferike. Në Shqipëri, natyra mbetet fajtore… projektet jo kurrë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit