Një 57-vjeçar nga Fier, Petrit Mërnica, është arrestuar nga policia pasi u kap duke qarkulluar i armatosur në fshatin Fermë Çlirim. Ai u ndalua në një lokal të zonës, ku gjatë kontrollit në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe dy krëhëra me nga 7 fishekë secili.
Sipas policisë, Mërnica është një emër i njohur për drejtësinë, pasi më parë ka kryer 20 vite burg për vrasjen e kunatit, ndërsa është edhe babai i Azgan Mërnicës, i cili në vitin 2024 vrau efektivin e forcave “Shqiponja”, Novruz Canaliaj. Arrestimi i tij u krye gjatë një operacioni të shtrirë në zonë, ku shërbimet e policisë e kapën në flagrancë të armatosur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Fierit bënë arrestimin e tij për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.