Ajo që nisi si projekti i “një pike të vogël” në Kuvend nga ish-ministrja e mjedisit Mirela Kumbaro, duket se po rezulton në një projekt që po ngre shqetësime serioze për prishjen e vendbanimeve antike në Parkun Kombëtar të Butrintit.
E gjitha lidhet me dëmtimin që po i ndodh një vendbanimi antik, ku ndodhet dhe “Muri i Demës”, një vepër fortifikuese unike e shekullit IV para Lindjes së Krishtit. Punimet po zhvillohen vetëm pak metra larg monumentit dhe brenda territorit të mbrojtur të parkut, çka shihet si rrezik i drejtpërdrejtë për integritetin historik të saj.
Studiuesi Auron Tare ka hedhur akuza ndaj Ministrisë së Kulturës, e cila sipas tij e ka minimizuar rëndësinë arkeologjike të zonës dhe kanë hapur rrugë ndërtimeve private, duke e cilësuar zonën “të parëndësishme”. Madje ai shton se Ministria e Kulturës dhe Drejtuesit e Arkeologjisë, kanë falsifikuar dokumentat për t’i hapur rrugë ndërtimit të një resorti privat.
Teksa citon një shkrim të botuar dy vite më parë, ai shkruan: “Murin e Demës nuk e prishën as romakët, as hunët, as ostrogothët, gotët, sllavët. E rrëzuam ne.”
Rikujtojmë këtu vitin 2021 kur ministrja Mirela Kumbaro e konsideroi si një “pikë të voçkël” Gjirit të Manastirit nga Parku Kombëtar, por ajo pikë rezultoi 800 hektarë të zhveshur nga mbrojtja ligjore për t’i lënë rrugë “Manastiri Resort”, 28 milionë eurosh që do të ndërtohet nga Albstar e Idajet Ismailaj. Ndërsa shteti justifikohej me strategji zhvillimi, resorti po mbjell beton mbi histori. Partneriteti strategjik ishte në fakt partneritet i interesave.
![]()
![]()