Në një kohë kur qeveria është mbuluar nga akuzat për korrupsion dhe keqmenaxhim, Kryeministri Edi Rama duket se ka zgjedhur të zhvendosë vëmendjen nga furtuna politike drejt një projekti të papritur: përgatitjen e një libri me fjalimet e sofrave të iftarit. Sipas tij, nisma nuk lidhet me politikë apo fe, por thjesht me kënaqësinë e gjuhës shqipe, të cilën ai e quan pasion të përhershëm.
Rama është shprehur se mbete dashnor i përkushtuar i shqipes dhe se, ndonëse nuk gjen më kohë për të shkruar vepra të gjata si “Kurbani”, ai vijon të hedhë në letër copëza që lidhen me punën dhe fjalimet e tij. Kjo deklaratë vjen pikërisht në kulmin e debateve mbi qeverisjen, duke u përkthyer si një lëvizje për të zbutur presionin publik dhe për të krijuar një narrativë më të butë rreth figurës së tij.
Ndërsa institucionet përballen me kritika dhe hetime, kryeministri ka zgjedhur të flasë për gjuhën shqipe dhe letërsinë, duke lënë pezull çështjet që kërkojnë përgjigje urgjente. Libri i ri i iftarit mund të përbëjë një tjetër përpjekje e tij për të kontrolluar ritmin e debatit publik, por mbetet për t’u parë nëse gjuha e bukur shqipe do të mjaftojë për të zbutur stuhinë politike që po e rrethon.
“Jam dashnor i përkushtuar i gjuhës shqipe, e ndjej dhe më pëlqen të shkruaj. Unë nuk kam mundësi të rri të ulem të shkruaj sic kam shkruar “Kurbanin”. Më pëlqen shumë që të shkruaj copëza, që lidhen me punën, fjalimet. Po përgatis tani një libër me fjalët e sofrës së iftarit, thjesht për kënaqësinë e shqipes, jo për ndonjë arsye tjetër dhe për natyrisht dëshirën që ti shoh në një libër disa gjëra që i kam shkruar me shumë dëshirë”,- është shprehur Rama.