Rruga në Luz të Fushë-Krujës është ‘bombarduar’, kërkohet ndërhyrje

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 23.11.2025, 12:11

Aksi rrugor që përshkon fshatin Luz, njëkohësisht pjesë e unazës veriore të Fushë-Krujës, ndodhet në një gjendje të rënduar infrastrukturore, duke u kthyer në një shqetësim të madh për komunitetin vendas. Segmenti rreth 2 kilometra i gjatë është degraduar ndjeshëm për shkak të përdorimit të vazhdueshëm nga mjetet e tonazhit të rëndë dhe mungesës së mirëmbajtjes nga institucionet përgjegjëse.

Dëmtimet në asfalt, gropat e shumta dhe mungesa e sinjalistikës rrugore e kanë bërë këtë pjesë të rrugës të vështirë dhe të rrezikshme për qarkullim. Situata paraqitet veçanërisht problematike në zonën pranë shkollës së fshatit, ku lëvizja e mjeteve të rënda ndërthuret me qarkullimin e nxënësve, duke krijuar rreziqe të vazhdueshme për sigurinë e tyre.

Përballë kësaj situate, komuniteti i fshatit Luz ka shprehur shqetësimin për mungesën e ndërhyrjeve nga ana e autoriteteve publike, të cilat prej vitesh nuk kanë ndërmarrë masa për rikonstruksionin ose mirëmbajtjen e këtij aksesi jetik. Banorët deklarojnë se gjendja aktuale e rrugës ka tejkaluar kufijtë e një problemi të zakonshëm infrastrukture dhe është shndërruar në një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e përdoruesve të saj.

Në mungesë të veprimeve konkrete nga institucionet, banorët paralajmërojnë se mund të ndërmarrin protesta dhe të bllokojnë rrugën, me qëllim ushtrimin e presionit për gjetjen e një zgjidhjeje.

Rruga e Luzit mbetet një nyje e rëndësishme lidhëse për lëvizjen lokale dhe për aktivitetet ekonomike në zonën e Fushë-Krujës. Degradimi i saj i vazhdueshëm pritet të ketë pasoja edhe më të mëdha nëse nuk ndërhyhet në kohë, ndërsa komuniteti pret reagim dhe veprim të menjëhershëm nga autoritetet përkatëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit