Hetimet mbi projektin e “Unazës së Jashtme Tiranë” kanë zbuluar përgjime të reja që përfshijnë zv/kryeministren e pezulluar Belinda Balluku dhe ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi. Sipas dosjes, më 1 tetor 2021, të dy kanë shkëmbyer mesazhe të shpeshta lidhur me ecurinë e procedurave për “Unazën e Madhe”, ku Balluku i kërkonte Berberit të ishte gati për publikime dhe njoftime të planifikuara.
Në komunikimet e përgjuara thuhet se Balluku ka dhënë udhëzime për koordinimin e hapave administrativë dhe datat e publikimit, ndërsa përmendet edhe shtyrja e disa afateve deri të mërkurën e asaj jave. Më 5 tetor, Berberi e informon për interesimin e një emisioni investigativ mbi procedurat e prokurimit të lotit “Shqiponja”, ndërsa përgjigjja e Ballukut, sipas hetimit, ka qenë që të vijonin me zbatimin e ligjit dhe publikimin e dokumenteve në ditën pasuese.
Hetuesit nënvizojnë se më 6 tetor 2021, në orën 20:03, në sistemin elektronik të prokurimit është finalizuar vlerësimi i ofertave nga Komisioni i Vlerësimit për lotin 4 të “Unazës së Jashtme Tiranë”. Këto të dhëna konsiderohen të rëndësishme për zbardhjen e mënyrës së menaxhimit të procedurave dhe komunikimeve brenda institucionit përgjegjës.
Pjese nga dosja
Në datën 01.10.2021, në orën 10:47, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin “Behu gati per unazat te henen ne mengjes”.
Në orën 10:48, Evis Berberi: “Njoftimin? Apo inspektim”.
Në orën 10:48, Belinda Balluku: “Njoftimin more”.
Në orën 10:48-10:49, Evis Berberi: “Jo sot ne darke? Ska ndryshim?”.
Në orën 10:49, Belinda Balluku: “A do ti nxjerresh ne darke sot? Shume mire Por do te te them”.
Në orën 10:50, Evis Berberi: “Ok po pres po më duhen 3 ore kohe nese ka ndryshime”.
Në orën 10:52, Belinda Balluku: “Asnje ndryshim”.
Në orën 10:52, Evis Berberi: “Ok”.
Në orën 10:52, Belinda Balluku: “Thjeshte te bej kengen Por jam ne kukes”.
Në orën 16:12. Evis Berberi: “Unazat nga ora 10 e darkes”.
Në orën 21:18, Evis Berberi: “Te vazhdojme apo te presim per neser”.
Në orën 21:31-21:32, Belinda Balluku: “Jo, te mërkurën Ikni shijoni fundjavën Merruni me pune serioze Ke nje plehre aty qe flet”.
Në orën 21:33. Evis Berberi: “Cfare ka dale Ok te merkuren”.
Në datën 05.10.2021, në orën 12:50, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhin “Ka ardhur Stop dhe kerkon informacion per proceduren e prokurimit Loti 1 (Shqiponja). I thame bej kerkese me shkrim te marresh pergjigje e beri, kerkojne te dine nese eshte shpallur fituesi, ka pasur ankesa, nese nuk eshte shpallur pse jo? Ben dhe nje kronike jashte dhe iken”.
Në orën 12:50-12:51, Belinda Balluku: “Te plasi trapi Bej punen dhe zbato ligjin Kur te te vi ty afati i pergjigjes, do kesh mbaruar me procedurat Neser publikoji te gjitha ne darke”.
Në orën 12:51. Evis Berberi: “Ok”.
Në lidhje me komunikimin e mësipërm, nga hetimi rezulton se, të nesërmen, në datën 06.10.2021, në orën 20:03, në sistemin elektronik të prokurimit është përfunduar vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë. Loti 4”.