Reshjet e para të dëborës kanë zbardhur juglindjen e vendit, duke mbuluar zonat malore të qarkut të Korçës. Dardha, në Majën e Biglës, si edhe zona e Shtyllës deri në majën e Mashkullores, janë përfshirë nga flokët e parë të dëborës pas rënies së ndjeshme të temperaturave gjatë natës.
Sipas autoriteteve lokale, qarkullimi rrugor vijon normalisht në të gjitha akset kryesore, megjithatë drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar në segmentet e larta malore, ku gjatë orëve të para të mëngjesit mund të shfaqen ngrica. Deri tani nuk janë raportuar probleme apo bllokime të qarkullimit.
Meteorologët parashikojnë se fronti i ftohtë do të vazhdojë të ndikojë këto zona edhe në ditët në vijim, ndërsa reshje të izoluara dëbore mund të rikthehen herë pas here. Temperaturat pritet të mbeten të ulëta, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit.