Më shumë se 300 nxënës dhe 12 mësues janë rrëmbyer nga persona të armatosur gjatë një sulmi në një shkollë katolike në Nigeri, një vend që shpesh është përballur me raste të rrëmbimit të nxënësve nga grupe të ndryshme militante.
Autoritetet njoftuan se viktimat, të rrëmbyera të shtunën, janë të moshave nga 10 deri në 18 vjeç. Deri tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa forcat e sigurisë kanë angazhuar skuadra taktike për të gjurmuar dhe shpëtuar fëmijët e rrëmbyer.
Nigeria po përballet kohët e fundit me një valë të re sulmesh nga grupe të armatosura. Të hënën e kaluar, një sulm i ngjashëm ka rezultuar në rrëmbimin e më shumë se 20 nxënëseve nga një shkollë myslimane në shtetin fqinj, Kebbi.