“Askush s’mund të më ndalë”, Maduro shfaqet duke kërcyer me ‘këngën e tij’ dedikuar SHBA

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.11.2025, 00:41

Një video virale po qarkullon në rrjetet sociale, ku presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, shihet duke kërcyer në Pallatin Miraflores gjatë një festimi për Ditën e Studentit. Ajo që e bën skenën edhe më të veçantë është muzika: një remiks i fjalimit të tij të njohur “jo luftë, po paqe”, të cilin ai e ka shndërruar në ritëm feste.

Gjatë fjalimit që u përdor për remiksin, Maduro u bëri thirrje të rinjve venezuelas të forcojnë lidhjet me lëvizjet studentore në SHBA, për t’u “bashkuar kundër kërcënimeve të luftës që peshojnë mbi vendin”. Ai u shfaq duke kërcyer së bashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores, duke krijuar një atmosferë teatrale dhe joformale në një kohë tensionesh të larta politike.

Reagimet ndaj videos kanë qenë të përziera: disa e kritikojnë si të papërshtatshme dhe të pandjeshme ndaj krizës së thellë ekonomike dhe sociale që po përjeton vendi, ndërsa të tjerë e shohin si një tjetër shfaqje tipike të stilit teatral të Maduro-s, i cili prej vitesh përdor muzikën dhe vallëzimin si pjesë të imazhit të tij politik.

Gjatë eventit, Maduro deklaroi se “kërcënimet” e Shteteve të Bashkuara “nuk do ta ndalin atë”, duke shtuar: “Është e premte dhe unë do të shkoj për festë, dhe askush nuk mund të më ndalojë”. Këto deklarata vijnë në një moment kur tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm.

Që nga muaji gusht, SHBA ka vendosur një flotë anijesh luftarake pranë rajonit, përfshirë edhe aeroplanmbajtësen më të madhe në botë. Uashingtoni thotë se operacioni synon frenimin e trafikut të drogës, ndërsa Karakasi e cilëson këtë si një “kërcënim vdekjeprurës ushtarak” që synon rrëzimin e qeverisë së Maduro-s.

Në të kaluarën, Maduro ka përdorur rregullisht muzikën dhe vallëzimin në shfaqjet e tij publike, përfshirë transmetimet radio-televizive nga Pallati Miraflores, një taktikë që kritikët e konsiderojnë si përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e rënda të vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit