Izraeli vijon me sulmet ajrore në Gaza: 24 të vrarë gjatë orëve të fundit, mes viktimave gra e fëmijë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.11.2025, 23:27

Situata në Rripin e Gazës ka njohur një tjetër përshkallëzim të rëndë këtë fundjavë, ku të paktën 24 palestinezë janë raportuar të vrarë pas një serie sulmesh ajrore izraelite në veri dhe qendër të territorit.

Sulmet goditën disa zona të banuara në Gaza City, Deir al-Balah dhe kampin e refugjatëve Nuseirat. Mes viktimave raportohet se ka edhe gra e fëmijë. Zyrtarë lokalë thanë se disa prej goditjeve shënjestruan banesa familjare, ndërsa në një rast një automjet u përfshi nga flakët pas një shpërthimi.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 310 palestinezë janë vrarë që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA gjashtë javë më parë. Autoritetet e Gazës i kanë cilësuar goditjet e fundit si shkelje të marrëveshjes.

Ushtria izraelite deklaroi se sulmet e fundit erdhën si kundërpërgjigje ndaj një incidenti më herët të shtunën, kur një person të cilin e përshkroi si “terrorist i armatosur” dyshohet se kaloi të ashtuquajturën “vijë e verdhë” dhe hapi zjarr ndaj trupave izraelite. Hamasi e ka mohuar këtë version.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli ka eliminuar “pesë anëtarë të lartë të Hamasit”, duke akuzuar grupin se ka shkelur armëpushimin. Ndërkohë Hamasi akuzoi ushtrinë izraelite se ka shtyrë më tej kufirin e zonës së kontrolluar dhe se po krijon “fakte të reja në terren”, duke kërkuar ndërhyrje urgjente të ndërmjetësuesve.

Paralelisht me situatën në Gaza, përleshje dhe incidente të dhunshme janë raportuar edhe në Bregun Perëndimor. Sipas agjencisë palestineze Wafa, disa fermerë u sulmuan nga kolonë izraelitë në zonën e Masafer Yatta, ndërsa dy palestinezë u plagosën gjatë një operacioni të ushtrisë në qytetin Dura.

OKB ka paralajmëruar se sulmet e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor kanë arritur nivelet më të larta që nga viti 2006, të shoqëruara me konfiskime pronash, arrestime dhe lëvizje të kufizuara për popullsinë palestineze.

Që nga fillimi i ofensivës izraelite ndaj Gazës pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023, më shumë se 69,500 palestinezë janë raportuar të vrarë, ndërsa qindra të tjerë janë vrarë edhe pas nisjes së armëpushimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit