Historia rrëqethëse e Meri Bell, vrasësja seriale 10-vjeçare

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 22.11.2025, 22:58

Krimet e vrasësve serialë janë tronditëse në çdo rrethanë, por kur kryhen nga fëmijë, ato kalojnë çdo kufi imagjinate. Të mendosh se një 10-vjeçare mund të planifikojë dhe realizojë vrasje brutale, është diçka që sfidon çdo logjikë njerëzore. Një nga rastet më të errëta dhe më të përfolura në historinë kriminale britanike është ai i Meri Bell, e cila në vitin 1968 vrau dy fëmijë të vegjël, duke tronditur Anglinë dhe mbarë botën.

Meri Bell lindi më 26 maj 1957 në Njukasëll, në një mjedis të mbushur me dhunë, neglizhencë dhe destabilitet. Nëna e saj, Beti Mekriket, ishte vetëm 16 vjeçe dhe punonte si prostitutë. Dëshmitë e vona treguan se Beti shfaqte pak ose aspak ndjenja prindërore, madje në disa raste ishte e dhunshme dhe abuzive ndaj Merit.

Meri rritej mes mungesave të gjata të nënës dhe kujdesit të çrregullt të të afërmve, gjë që e ekspozoi ndaj aksidenteve të dyshimta dhe traumave të rënda. Disa ekspertë madje dyshuan se Beti mund të ketë vuajtur nga Sindroma e Mynshhauzenit për Prokurë, duke shkaktuar qëllimisht lëndime te vajza për të marrë vëmendje mjekësore.

Në shkollë, Meri shfaqi shenja të qarta të sjelljes agresive: ishte manipuluese, e shkëputur nga bashkëmoshatarët dhe tregonte një prirje të pazakontë drejt dhunës.

Në javët para vrasjes së saj të parë, sjelljet e Merit u bënë gjithnjë e më shqetësuese. Më 11 maj 1968, një djalë 3-vjeçar humbi jetën pasi ra nga një strehë. Rasti u cilësua aksident, megjithëse më vonë u dyshua se Meri kishte qenë e përfshirë. Një ditë më vonë, Meri u mor në pyetje nga policia për përpjekjen për të mbytur tre vajza të vogla. Ajo u paralajmërua, por nuk u ngrit asnjë akuzë.

Në retrospektivë, të gjitha këto ishin sinjale alarmi që fatkeqësisht u shpërfillën. Vrasja e parë: Marti Braun, 4 vjeç

Më 25 maj 1968, një ditë para ditëlindjes së saj të 11-të, Meri vrau 4-vjeçarin Martin Braun në një shtëpi të braktisur në Skotsud. Trupi u gjet nga dy djem të zonës, ndërsa Meri u kthye me shoqen e saj, Norma Bell për të parë reagimin e tyre.

Ditët e vrasjes, ajo shfaqi një sjellje të frikshme shkoi në shtëpinë e Martinit dhe kërkoi të shihte trupin në arkivol, duke zbuluar detaje që vetëm vrasësi mund t’i dinte.

Meri dhe Norma shkatërruan një çerdhe, duke lënë shënime ku merrnin përgjegjësinë për vrasjen e Martinit dhe kërcënonin me vrasje të tjera. Policia i konsideroi shënimet si një shaka fëmijësh.

Vrasja e dytë: Brajan Houi, 3 vjeç Më 31 korrik 1968, një tjetër djalë i vogël, Brajan Houi, u gjet i mbytur dhe i gjymtuar. Hetimet nisën menjëherë dhe prova të shumta drejtuan policinë te Meri dhe Norma. Sjelljet e Merit gjatë marrjes në pyetje u përshkruan si manipuluese, të ftohta dhe të kontrolluara.

Gjatë gjyqit, u vërtetua se Meri vepronte duke vrarë për “kënaqësi dhe emocion”, sipas vlerësimit të psikologëve, që identifikuan te ajo tendenca psikopatike.

Norma Bell u konsiderua më e ndrojtur, një ndihmëse e pavetëdijshme e Merit, dhe u shpall e pafajshme.

Meri Bell u dënua me burgim të pacaktuar “sipas dëshirës së Madhërisë së Saj”, një formë dënimi që u jep autoriteteve lirinë të vendosin kohëzgjatjen e qëndrimit, në varësi të rrezikshmërisë së individit.

Ajo u lirua në moshën 23-vjeçare, pasi vuajti 12 vjet dënim. Më pas, u pajis me një identitet të ri për t’u mbrojtur nga publiku dhe media.

Që atëherë, ajo ka jetuar e lirë, duke u përpjekur të fshihet nga e kaluara e saj e errët.

Rasti i Meri Bell mbetet një nga shembujt më të keq të dhunës së ushtruar nga një i mitur duke ngritur pyetje të thella mbi ndikimin e traumës në fëmijërinë e hershme, rolin e neglizhencës prindërore dhe kufijtë e përgjegjësisë kriminale tek fëmijët.

Pavarësisht kohës së kaluar, historia e saj vazhdon të studiohet nga ekspertët e kriminologjisë, psikologët dhe sociologët, si një paralajmërim i errët se si abuzimi dhe braktisja mund të deformojnë shpirtin e një fëmije.

Në këtë histori, viktimat nuk janë vetëm dy fëmijët e vrarë por edhe vetë Meri, e rritur në një botë ku askush nuk e mbrojti, deri në momentin kur ishte shumë vonë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit