Një episod i jashtëzakonshëm trimërie në Padova ka vënë në qendër të vëmendjes Elton Zefin, 32-vjeçari shqiptar, i cili shpëtoi jetën e një biznesmeni italian 85-vjeçar pas rënies së automjetit të tij në kanalin Battaglia. Gjestit të tij heroik iu përgjigj publikisht edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila e cilësoi ndërhyrjen e Zefit si një akt të pastër humanizmi dhe guximi.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, Meloni theksoi se falë vendosmërisë së të riut shqiptar dhe të tjerë qytetarëve që ndërhynë në moment, u arrit të shmangej një tragjedi. “Një jetë e shpëtuar falë guximit dhe altruizmit të atyre që zgjodhën të ndërhyjnë. Heronj,” shkroi ajo, duke e vlerësuar Zefin si shembull të qytetarisë.
Ngjarja ndodhi kur Giuseppe Salvalajo, sipërmarrës i njohur në Padova, humbi kontrollin e automjetit dhe përfundoi në ujë për shkaqe ende të paqarta. Mjeti nisi të fundosej me shpejtësi, ndërsa 85-vjeçari mbeti i bllokuar brenda kabinës, në gjendje shoku dhe pa mundësinë për të dalë.
Elton Zefi ndërhyri menjëherë, pavarësisht temperaturave të ulëta dhe rrezikut. Ai u hodh në kanal së bashku me një tjetër qytetar dhe u përpoq fillimisht të thyente xhamat e automjetit, por pa sukses. Zefi ka rrëfyer më pas se arriti të dallonte dorën e të moshuarit përmes një hapësire të vogël në pjesën e pasme të automjetit, ku xhami nuk ishte mbyllur plotësisht.
I rraskapitur, i mpirë nga të ftohtit dhe në kufijtë e forcave fizike, ai bëri një përpjekje të fundit, vendimtare, falë së cilës arriti ta nxirrte të moshuarin jashtë mjetit që po fundosej. Më pas, ai dhe qytetari tjetër e nxorën biznesmenin jashtë kanalit, ku pak minuta më vonë mbërritën ekipet e emergjencës.
I moshuari u transportua menjëherë në spital dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Aktiviteti i tij heroik është cilësuar nga autoritetet italiane si shembull i lartë humanizmi, përgjegjësie civile dhe vendosmërie në situata kritike.