Prej disa ditësh vendi ynë po përballet me mot të keq, reshje të vazhdueshme dhe përmbytje që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona. Ndërkohë, Instituti i Gjeoshkencave ka bërë një paralajmërim të ri për intensifikim të situatës gjatë mbrëmjes së sotme dhe ditës së nesërme.
Sipas IGJEUM, shtrëngatat e forta dhe reshjet me intensitet të lartë, edhe pse në intervale të shkurtra, mund të krijojnë probleme të shumta në zonat urbane, sidomos atje ku sistemi i kanalizimeve nuk përballon dot sasinë e ujit. Qarqet që rrezikojnë më shumë janë Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër.
Instituti thekson se, për shkak të shirave të ditëve të fundit, të cilët do të vazhdojnë deri të dielën, më 23 nëntor, pritet rritje e prurjeve në lumenjtë kryesorë të vendit, përfshirë Matin, Shkumbinin, Semanin dhe Vjosën. Kjo rrit rrezikun e daljes së tyre nga shtrati në disa segmente.
Përsa i përket reshjeve, IGJEUM parashikon:
Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër: reshje mesatare deri në lokalisht intensive, shoqëruar me shtrëngata.
Kukës, Dibër, Tiranë: reshje mesatare.
Fier, Berat, Korçë: reshje të dobëta deri mesatare.
Ndërkohë, temperaturat e nesërme do të variojnë nga 4 deri në 11°C në bregdet, 9 deri në 11°C në zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore priten vlera nga 4 deri në 8°C.