E papërgjegjshmja Sako nuk zë mend, Durrësi plot me kabllo të zhveshur

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 22.11.2025, 18:01

Në Durrës, kujtimi i një tragjedie të rëndë është ende i freskët: një qytetar humbi jetën pasi ra në kontakt me një tel të zhveshur të një shtylle publike gjatë përmbytjeve. Por edhe pse kjo ngjarje duhet të kishte shërbyer si alarm i fortë për institucionet vendore, situata në terren mbetet e pandryshuar. Shtylla me tela të ekspozuar vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat gjendje, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e qytetarëve.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ndodhet përballë një pyetjeje të thjeshtë, që kërkon një përgjigje të menjëhershme: Pse asnjë masë konkrete nuk është marrë pas një humbjeje jete?

Në një qytet të madh, ku qindra mijëra njerëz lëvizin çdo ditë nëpër rrugë, dhe ku përmbytjet janë pothuajse një fenomen i përvitshëm, mosreagimi për shtyllat e rrezikshme nuk mund të justifikohet me mungesë fondesh apo “kohë të papërshtatshme”. Kjo është një çështje e thjeshtë sigurie publike, bazë e çdo administrimi minimalisht funksional.

Disa banorë në zona të ndryshme të qytetit raportojnë se kabuj të zhveshur, shtylla të korroduara dhe instalime të dëmtuara elektrike janë ende të pranishme. Në vend që të ndërhyjë menjëherë me një plan emergjent, Bashkia ka zgjedhur heshtjen, një heshtje që i ekspozon qytetarët ndaj rrezikut të një tragjedie të dytë.

Të lejosh qytetarët të ecin pranë një instalimi elektrik të dëmtuar, ndërkohë që e di se një person ka vdekur prej kësaj, është papërgjegjshmëri e thellë. Dhe kur papërgjegjshmëria vjen nga institucionet që ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët, atëherë kemi të bëjmë me dështim serioz të qeverisjes vendore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit