Juljan Shehu mori thirrjen e tij të parë për Kombëtaren A të Shqipërisë në muajin mars. Në moshën 27-vjeçare, mesfushori debutoi në fitoren 3-0 ndaj Andorrës dhe që prej asaj dite ka zhvilluar shtatë ndeshje me fanellën kuqezi. Me Shehun në fushë, skuadra nuk ka pësuar humbje, duke regjistruar pesë fitore dhe dy barazime.
Ish-lojtari i Laçit aktivizohet prej tre vitesh e gjysmë me Uidzju Lodz në Poloni, ku është shndërruar në një nga pikat më të forta të ekipit. Shorti i “play-off”-it të Botërorit 2026 e vuri Shqipërinë përballë Polonisë në gjysmëfinale, një kundërshtar që Shehu e njeh më mirë se kushdo.
“Në fazën eliminatore çdo skuadër është e fortë. Polonia ka futbollistë shumë cilësorë, por këto janë ndeshjet që çdo profesionist i dëshiron. Është një ekip i shkëlqyer, me lojtarë të mëdhenj dhe me një trajner që e njoh që nga periudha e tij te Gornik Zabrze. Besoj se detajet e vogla do të vendosin fituesin,” u shpreh Shehu gjatë një deklarate për media.
Sipas tij, shanset janë të barabarta.
“Të luash në shtëpi është gjithmonë një avantazh, por ndeshjet eliminatore kanë specifikat e tyre dhe çdo gjë mund të ndodhë. Unë do t’i vlerësoja mundësitë si 50 me 50. Të dyja skuadrat kanë cilësi dhe motivim të madh,” theksoi mesfushori.
Ai nuk la pa përmendur edhe Robert Lewandowskin, që mbetet lideri ofensiv i Polonisë.
“Çfarë ka bërë ai për vendin e tij është e jashtëzakonshme. Por edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë, që ndikojnë fort si në fushë, ashtu edhe jashtë saj,” përfundoi futbollisti i Uidzju Lodz.
Ndeshja Poloni–Shqipëri do të luhet më 26 mars, në orën 20:45, në Varshavë. Fituesi i këtij dueli do të sfidojë në finalen e “play-off”-it fituesin e çiftit Ukrainë–Suedi për një vend në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Kanada dhe Meksikë.