Prej tre ditësh, banorët e fshatit Lubonjë në Korçë përballen me një situatë alarmante pas daljes së lumit nga shtrati, e cila ka shkaktuar dëmtime të rënda në infrastrukturë. Asfalti është çarë dhe rruga kryesore e fshatit ka dalë plotësisht jashtë funksionit, duke u bërë e pakalueshme për automjete dhe këmbësorë.
Sipas banorëve, pavarësisht situatës së rëndë dhe rrezikut që paraqet, nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet vendore. Asnjë makineri e bashkisë nuk ka mbërritur në zonë për të filluar punimet e sistemimit dhe normalizimit të qarkullimit.
“Ka tre ditë që rruga është e shembur. Lumi ka dalë dhe e ka marrë asfaltin. Jemi të izoluar dhe nuk ka ardhur askush për ndihmë. Rruga është e pakalueshme.” – shprehet një banor i zonës.
Banorët kërkojnë reagim urgjent nga Bashkia Korçë dhe Njësia Administrative Vithkuq, duke theksuar se situata po përkeqësohet dhe rrezikon jetën e qytetarëve.
Ata apelojnë që institucionet të mos i lënë të braktisur dhe të ndërhyjnë menjëherë për të rikthyer funksionimin e rrugës dhe sigurinë e zonës.