Banorë dhe punëtorë që kalojnë çdo ditë në zonën e Butrintit kanë denoncuar sot situatën e përsëritur të ndërprerjes së shërbimit të lundrës, e cila prej dekadash ka qenë ura lidhëse e vetme për qindra persona. Sipas denoncimit, mjeti lundrues ka dalë sërish jashtë funksionit, duke lënë dhjetëra njerëz të bllokuar në të dy anët e kanalit.
Punëtorët, të cilët kthehen nga puna në parcelat e mandarinave, tregojnë se kanë mbërritur tek kalimi të lodhur dhe të lagur nga shiu, por janë detyruar të presin për më shumë se një orë. Disa prej tyre thonë se kjo situatë përsëritet pothuajse çdo javë, për shkak se lundra prishet shpesh dhe nuk kryen dot kalimet e domosdoshme.
“Kemi ngelur të bllokuar. Nuk ka urë, nuk ka zgjidhje tjetër. Presim me orë të tëra në shi. Lundra është 50 vjeç dhe prishet gati çdo javë”, shprehen banorët, të cilët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet.
Sipas tyre, në raste të tilla vjen një barkë private që kryen kalimin vetëm kundrejt pagesës, çka e vë komunitetin përballë vështirësive të mëdha ekonomike.
Banorët dhe punëtorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt, qoftë me rikonstruksionin e lundrës, qoftë me ndërtimin e një ure që të sigurojë kalim të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjithë.